Trajnimi Green Hub në Pejë
Programi Green Hub implementohet në partneritet në mes Sustainability Leadership Kosova dhe Venture UP, dhe mbështetet nga UNDP Kosova. Ky është një program i cili po udhëheq ndryshimin dhe nxit trendet e ekoturizmit në Kosovë. Programi synon Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të) ekzistuese të turizmit për rimëkëmbjen e gjelbër nga COVID-19 dhe kalimin drejt qëndrueshmërisë mjedisore; diversifikimin e NMVM-ve të tjera në zinxhirin e vlerës së turizmit në fusha të tilla si zejtaria dhe bujqësia. Për më tepër, programi synon iniciativa të reja turistike nga të rinjtë; studentë të Universitetit të Prishtinës dhe më gjerë.
Theksi i këtij programi do t'i kushtohet adoptimit të praktikave të sigurta për COVID-19 dhe mjedisin. Në nivel të ndërmarrjeve, masat për të zbutur ose eliminuar ndikimet negative dhe një model operimi financiarisht më të qëndrueshëm.
Projekti synon të mbështesë deri në 50 NVM turistike në rimëkëmbjen dhe përshpejtimin e tyre drejt qëndrueshmërisë.
Një ndër komponentet më të rëndësishme të këtij programi janë edhe trajnimet të cilat u ofrohen NVM-ve ekzistuese të sektorit të turizmit.
Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit me NVM-të e rajonit të Mitrovicës, Prishtinës dhe Prizrenit në radhë ishte trajnimi me rajonin e Pejës. Ky trajnim u zhvillua në mes datave 14 - 18 mars dhe mikpriti 22 pjesëmarrës nga nënsektorë të ndryshëm të turizmit.
Ky trajnim 5 ditor, ndonëse quhet i tillë, ai në vete nuk është i njëjtë me mënyrat klasike të trajnimit, por përmban material dhe aktivitete të tilla interaktive të cilat bëjnë fuqizimi individual në atë mënyrë për të krijuar një udhëtim të zhvillimit personal dhe profesional dhe do të mbështesë zhvillimin e 'aftësive të buta' të pjesëmarrësve të cilët më pas mund të shndërrohen në ndryshimtarë pozitiv në komunitetin e tyre.
Afrim Hasku në trajnimin Green Hub e përfaqësoi Hoteli Camp Karagaq si menaxher i këtij hoteli. Ky hotel gjendet në Pejë, afër qendrës së qytetit. Hoteli përmban restaurantin dhe gjithashtu ofron shërbime akomoduese të cilat janë në afërsi të parkut me të njëjtin emër.
Ali Vokshi ka mbi 20 vite përvojë pune si menaxher i Restaurantit Gresa i cili është hapur më 1990, fillimisht si kafiteri e ndër vite është zgjerur në restaurant, ku ushqimet kryesore janë ato tradicionale dhe ushqime deti. Hapësirat e restaurantit janë të mbushura me artefakte të kulturës kosovare, gjë që e bëjnë këtë vend të veçantë ku edhe vizitorët mund të marrin informata të shumta rreth tyre.
Alpa Bojku një nga pjesëmarrëset më të reja të këtij trajnimi e përfaqësoi Outdoor Kosovo, një kompani operator turistik me lokacion në Pejë. Me eksperiencë prej shumë vitesh me aktivitete në natyrë dhe sporte aventuriere, ky operator ofron aktivitete të ndryshme si: ecje malore dhe trekking, alpinizëm, skijim dhe ecje në borë, ngjitje në shkëmbinj dhe Via Ferrata, udhëtime në shpella, ciklizëm malor, ture kulturore dhe shumë më shumë. Përveç Kosovës, ky operator vepron gjithashtu edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Armend Delijaj edhe pse emigroi në Zvicër në moshë të re, u kthye në vendlindje për të dhënë kontributin e tij duke hapur restaurantin që tani njihet si restaurant Freskia me lokacion në Istog. Për aq vite sa ka jetuar në Zvicër, ai punonte në një restaurant ku i morri hapat e parë të këtij profesioni, ku për fillim punoi si ndihmës kuzhinier e pastaj edhe si shef kuzhine. Restaurant Freskia, i vendosur rrëzë bjeshkëve dhe i rrethuar me pamje magjepëse natyrore, aty turistët mund t’i shijojnë specialitetet e peshkut së bashku me pamjen që i rrethon.
Dini Begolli njihet si fotograf, profesion të cilin e ushtron tash e 24 vite. Ai gjithashtu është pronar dhe menaxher i restaurantit Kulla e Zenel Beut. Kjo kullë 200 vjeçare njihet si ikona e qytetit të Pejës, që e karakterizojnë tiparet kulturo-historike. Nga viti 2013, kjo kullë është hapur si restaurant dhe hotel. Çka e veçon këtë restaurant janë ushqimet dhe specialitet tradicionale ku së bashku me shërbimet akomoduese turistët mund ta përjetojnë historinë dhe traditën shqiptare.
“Nga ky trajnim kam mësuar më shumë për ekoturizmin dhe si mund t’i bëjmë bizneset tona miqësore me natyrën. Jam shumë mirënjohës për punën dhe këshillat që i keni nda me ne”.
Marigona Gashi edhe pse me profesion kimiste, është e përkushtuar në zhvillimin dhe promovimin e turizmit si biznes dhe si profesion për femrat. Donika Matoshi është udhërrëfyesja kryesore në Via Ferrata dhe njëherit e vetmja grua e këtij profesioni nga Kosova në Peaks of the Balkans. Është aktiviste mjedisore dhe vazhdimisht punon në promovimin e mbrojtjes së natyrës. Kompania Tourism Services është themeluar më 2019 në Pejë. Qëllimi kryesor i kësaj kompanie është promovimi i turizmit lokal dhe aventurier në Pejë përmes udhëtimeve në Via Ferrata dhe ecjes malore.
“Jam ndarë shumë e kënaqur nga ky trajnim pasi ishte shumë informativ dhe inspirues. I vlerësoj shumë informatat që i keni ndarë me ne në lidhje me se si bizneset mund të bëjnë ndryshime përmes praktikave recikluese”.
Esat Nikqi pronar i bujtinave Chalet Kujta gjindet në Shtypeq, Rugovë dhe posedon restaurant dhe shërbime akomoduese, ka kopshtin, një terracë, pajisje për grill dhe sallë pritjeje të përbashkët. Disa villa e kanë hapësirën për ushqim ose terracën. Chalet Kujta ofron mëngjes kontinental ose siç njihet edhe mëngjes “à la carte”.
Fetije Nikqi - Hira Helshani dhe Mustafë Nikqi janë pronarët e bujtinës Ariu. Janë pionerë dhe ambientalistë. Bujtina Ariu gjendet në fshatin Reka Allagës, që e veçon pamja mahnitëse e natyrës. Është hapur më 2008 si restaurant e nga viti 2011 ofron edhe shërbime akomoduese. Bujtina është themeluar në bazë të filozofisë “Albergo Diffuso” ku vizitorët e përjetojnë kulturën dhe traditat lokale, duke u përfshirë në punët e përditshme dhe përgatitjen e ushqimeve në bujtinë. Bujtina ka fermën dhe serrat nga ku furnizohen me produkte organike. Bujtina Ariu njihet edhe si shembull për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Filonid Gjikolli është pronar i Zade Lounge Bar, njërës nga kafiteritë më unike në Pejë, e cila ndërthur stilin klasik me modern. Ky lounge është ndërtuar me materiale te recikluara dhe të ripërdorura dhe u ofron musafirëve një ambient shumë të këndshëm.
Genc Dreshaj është menaxher i restaurantit Guri Kuq, i cili gjendet në fshatin Kuqishtë dhe është i rrethuar nga bjeshkët e Rugovës. Këto bjeshkë ofrojnë pamje mahnitëse dhe qetësi te vizitorët. Restauranti poashtu ka edhe 7 villa për shërbime akomoduese. Për më shumë, shërbehen ushqime të freskëta dhe specialitete tradicionale.
“Ishte një trajnim i jashtëzakonshëm. Kam mësuar shumë nga mentorët si dhe pjesëmarrësit e tjerë se si mund ta përmisojmë biznesin financiarisht dhe në të njëjtën kohë t’i zvogëlojmë dëmet ndaj natyrës”.
Ilir Shala ishte përfaqësues i bujtinës Shqiponja. Osman Shala ka përvojë të gjatë në arsim dhe turizëm. Kjo bujtinë që gjendet në fshatin Drelaj të Pejës dhe është e rrethuar nga bjeshkët e Rugovës. Bujtina ofron shërbime akomoduese dhe ushqime të freskëta nga kopshti dhe ato tradicionale. Së bashku me akomodimin dhe ushqimet tradicionale, vizitorët mund të përjetojnë kulturën e traditat e vërteta shqiptare, ku pronari i shoqëron me muzikë me instrumentet popullore si lahuta, fyelli, sharkia, çiftelia. Për më shumë, kjo bujtinë është e para në Rugovë që ka promovuar turizmin familjar.
Irina Darlyanova është nga Bullgaria, por që 12 vite jeton me familje në Rugovë, Pejë. Ka studiuar në Fakultetin e Filologjisë në Sofie. Ka ndjekur një sërë trajnimesh e konferencash në tematika të ndryshme duke përfshirë zhvillim rigjenerues, menaxhim projektesh, politikëbërje dhe së bashku me bashkëshortin, Dritan Shala, janë shumë të apasionuar pas natyrës, udhëtimeve eksploruese dhe turizmit familjar. Në vitin 2003 e filluan biznesin e tyre duke hapur një bujtinë që njihet “Shtëpia e Paqes”. Njihet për ushqimet tradicionale si fli, leqenik dhe produkte nga qumështi. Shtëpia gjithashtu ofron hapësira për relaksim, rehabilitim, rekreacion. Duke qenë në qendër të Rugovës, në mes të majave Hjala dhe Guri i Kuq, shtëpia ka qasje në shtigjet e ecjes dhe ciklizmit malor.
Jehona Abdullahu Dabiqaj është nga Ferizaji, por jeton në Pejë. Ajo mban titullin Master i Shkencave në Menaxhment dhe Informatikë. Tani merret me bletari dhe këshillon bletarët e ri rreth kësaj fushe. Jehona e filloi biznesin e saj, Bletaria Aldi, në vitit 2015. Prodhon 4 lloje të mjaltit, të bjeshkës, gështenjës, lulave dhe bagremit. Ka qenë fituese e medaljes së artë Aldi për cilësi të mjaltit.
Nyvit Drançolli ushtron tri profesione të ndryshme si: mekanik i mirëmbajtjes së makinave, profesor i gjuhës angleze dhe financier. Në këtë trajnim ai përfaqësoi Balkan Natural Adventure, një tour-operator i specializuar në turizmin e aventurës. Janë të përqendruar në shtegun e ecjes Peaks of the Balkans në Shqipëri, Kosovë, dhe Mal të Zi. Gjatë stinës së verës ky operator turistik ofron aktivitete të ecjes malore, ngjitjes në shkëmbinj (përfshirë këtu edhe shtigjet Via Ferrata) dhe paragliding. Gjatë stinës së dimrit ofron ecje me guida malore, snow-shoeing (ecje mbi borë) si dhe skijim.
Blerta Begolli edhe pse me profesion ekonomiste është përqendruar në sektorin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore, ku ka edhe përvojë mbi 20 vjeçare. Virtyt Morina gjithashtu është ekonomist me profesion. Pas përfundimit të luftës në Kosovë filloi të punojë në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ku kryesisht është marrë me projekte të fushës së turizmit. Në këtë trajnim, Virtyti dhe Blerta ishin pëfaqësuesit e Komunës së Pejës, organizatë publike e themeluar në bazë të ligjit për vetqeverisje lokale të Republikës së Kosovës. Qëllimi i Komunës është zhvillimi i territorit të saj dhe ngritja e mirëqenjes së qytetarit.
Vetëm një turizëm i qëndrueshëm do të jetë çelës i zhvillimit të Pejës dhe përmes kësaj do të arrijmë t’i ruajmë pasuritë tona natyrore edhe për brezat e ardhshme, do të ndikojmë në ruajtjen e diversitetit kulturo-historik dhe kultivimin e vlerave tradicionale si dhe ngritjen e mirëqenjës së banorëve lokal përmes zhvillimit të biznesve të qëndurshme dhe ngritjes së punësimit”.
Vjollca Lajqi me origjinë nga Hasi i Prizrenit, tani jeton dhe punon në Pejë. Së bashku me bashkëshortin janë pronarë të bujtinës Drelaj. Vjollca merret me gatimin e ushqimeve tradicionale, si fli, leqenik, pite, etj. Bujtina mund të ofrojë shërbime akomoduese deri në 10 persona. Bujtina gjithashtu mund të ofrojë shërbejë edhe si guidë turistike për ecjet lokale deri në majat e larta të Gurit Kuq dhe Hajlës, të ofrojë varka atraksioni në Liqenin e Kuqishtës gjatë verës dhe pajisje skijimi gjatë dimrit.
Ylber Rudi është njëri nga pionerët e turizmit malor në Kosovë duke hapur restorant-hotelin në Bogë të Rugovës në vitet e 90-ta. Ai është pronar i Hotel Rudi, i cili është i lokalizuar në Bogë dhe u ofron musafirëve ushqime tradicionale dhe akomodim të rehatshëm.
Zeki Ahmetgjekaj dhe bashkëshkortja e tij, Teuta, janë pronarë dhe menaxherë të Bujtinës Lojza. Bujtina gjendet në Bjeshkët e Nemuna në lartësi mbidetare 1700m. Është e rrethuar me pamje pitoreske, me fusha të gjelbëruara dhe me pyje tejet të bukura. Në bujtinën Lojza shfrytëzohet energjia e ripërtritshime solare. Bujtina ofron akomodin dhe gjithashtu ushqimet që shërbehen janë nga resurset organike të Bjeshkëve të Nemuna.
Comments