top of page
Search

Fokus Grupi në Mitrovicë


Fokus Grupet ishin pjesë integrale e Vlerësimit të Nevojave të NMVM-ve në sektorin e turizmit në Kosovë. Këto fokus grupe janë një komponent i Programit Green Hub, një program i cili zbatohet nga Sustainability Leadership Kosova në partneritet me VentureUP dhe UNDP Kosovë. Ky program është duke udhëhequr ndryshimin dhe nxitjen e trendeve të ekoturizmit në Kosovë. Në këtë fokus grup ne kemi pritur përfaqësues nga nën-sektorë të ndryshëm të turizmit nga rajoni i Mitrovicës.


Si të gjitha bizneset e sektorëve të tjerë, edhe sektori i turizmit në rajonin e Mitrovicës është përballur me probleme me situatën të krijuar gjatë pandemisë COVID-19. Në shumicën e rasteve, sipërmarrësit u detyruan të mbyllnin bizneset e tyre për kohë të caktuara.

Shumica e tyre shfrytëzuan mbylljen për të ristrukturuar shërbimet dhe produktet e tyre në mënyrë që të mbanin punonjësit dhe të mos dështonin si kompani. Nga ana tjetër, disa biznese të tjera përjetuan më shumë vështirësi gjatë vitit 2020, ku u duhej të pushonin gjysmën e punonjësve të tyre, por fatmirësisht viti 2021 ishte më i mirë se një vit më parë.


Një fenomen tjetër që u krijon shumë probleme ndërmarrësve të këtij sektori, e sidomos pas lehtësimit të masave të izolimit është mungesa e kulturës së prenotimin/rezervimit nga turistët për akomodim. Për pushuesit, të cilët kanë ardhur pa prenotuar më parë akomodimin, kanë krijuar shumë pakënaqësi; dhe në pamundësi për t'i pranuar, nikoqirët u detyruan shpesh herë që t'i kthenin ata prapa. Në anën tjetër të medaljes, turizmi rural nuk ka pësuar shumë vështirësi të tilla për shkak të hapësirës së mjaftueshme natyrore ku pushuesit mund të mbanin distancën e kërkuar mes njëri-tjetrit.


Kur është fjala për të ardhmen e bizneseve të tyre, disa nga sipërmarrësit nuk janë të shqetësuar mirëpo ata janë të shqetësuar për fatkeqësitë e ndryshme natyrore dhe urbanizmin që është në rritje të vazhdueshme pa standarde, sidomos në Mitrovicë. Banorët e Bajgorës kanë një migrim të brendshëm nga vendbanimet e tyre pasi një numër i madh i tyre janë në proces të largimit nga fshati dhe si rrjedhojë për bizneset kjo shkakton probleme si: mungesa e produkteve bio vendase dhe mungesa e fuqisë punëtore.


Mungesa e ujit është gjithashtu një shqetësim i madh për bizneset i cili po shkaktohet nga gërmimet e vazhdueshme dhe erozioni që ndodhë në Trepçë. Rreth 250 puse janë identifikuar se kanë shumë pak ose aspak ujë. Një problem tjetër që shqetëson shumë sipërmarrësit është se tokat në këtë zonë nuk kanë pronarë ose kanë aq shumë pronarë, saqë shkakton probleme kur bëhet fjalë për shpronësimin duke e bërë situatën mjaft të komplikuar dhe duke krijuar një problem sistematik që kërkon ndërhyrje dhe ndryshim. të qasjes që është përdorur deri më tani.


Sipas të pranishmëve, në Mitrovicë ka shumë monumente historike të cilat janë ruajtur nga banorët vendas, por këto monumente nuk janë të vizituara nga turistët për shkak se Mitrovica dhe turizmi i saj nuk janë zhvilluar dhe promovuar deri më tani dhe nuk janë përfshirë në pakot turistike të Kosovës.


Identiteti i qytetit ka humbur për shkak të ndarjes së qytetit 20 vjet më parë dhe vendasit ende po përballen me humbjen e identitetit të qytetit të tyre, ndaj duhet të punojnë për rizhvillimin e qytetit në mënyrë që të gjithë turistët dhe vizitorët të mund të kenë një ide e qartë se çfarë imazhi kishte qyteti në të kaluarën dhe çfarë imazhi do të ketë në të ardhmen. Pa dyshim, Mitrovica ka një potencial të madh për zhvillimin e turizmit, por varet shumë nga pushteti lokal dhe kush merret me këto tema. Mitrovica duhet të zhvillojë paketa të reja turistike dhe marketing digjital sepse aktualisht ndër pikat e vetme që vizitohet janë turbinat me erë, ndërsa atraksionet e tjera turistike të qytetit janë injoruar.


Pjesëmarrësit deklaruan se oferta e tyre turistike është një nga më të mirat, por problemi qëndron në tërheqjen e turistëve të rinj për shkak të mungesës së informacionit dhe njohurive për atë që ofron qyteti. Shumica e bizneseve turistike në Mitrovicë kanë një marketing të dobët, dhe turistët që e vizitojnë Mitrovicën vazhdimisht kanë kërkesa që hotelet dhe bizneset e vogla të kenë udhërrëfyes në mënyrë që të informohen për atraksionet kryesore turistike dhe se si mund t'i vizitojnë ato. Për më tepër, duhet të ketë bashkëpunim më të madh në mes të bizneseve ekzistuese në mënyrë që të ofrohet një përvojë më e plotë dhe tërheqëse për vizitorët dhe turistët që vizitojnë Mitrovicën dhe në të njëjtën kohë ta bëjë situatën më të dobishme për të gjithë pjesëmarrësit në këtë sektor.


Disa nga të pranishmit deklaruan se nuk i kanë ndryshuar tarifat pasi nëse do ta bënin këtë do të humbnin edhe ata pak turistë që kanë. Nga ana tjetër, disa të tjerë deklaruan se i rritën tarifat për shkak se u duhen fonde për të paguar punonjësit si dhe për të rikrijuar menu më cilësore.


Njëri nga bizneset përdor burimet natyrore si puset; nuk përdorin kimikate për filtrimin e ujit dhe nuk përdorin ujë të pijshëm në operimet e tyre në pishina. Ata kanë sistemin ultraviolet dhe klorin që përdorin në sasinë e duhur, në mënyrë që uji që përdoret nuk ndërrohet por vetëm filtrohet.

Ata janë të vetëdijshëm se këto praktika që përdorin janë mjaft të vogla dhe se duhet të zbatojnë praktika të qëndrueshmërisë, ndaj thonë se janë të gatshëm të kalojnë trajnime të ndryshme për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë më të përshtatshme.


Ata deklarojnë se vazhdimisht po përpiqen të investojnë në inovacione eko-miqësore. Për shembull, ata që kanë filluar të punojnë në ndërtimin e hostelit dhe përdorin vetëm dru, dhe jo materiale që nuk janë miqësore me mjedisin. Përveç kësaj, ata duan të përfshijnë teknologji për marketing në mënyrë që turistët ose vizitorët të marrin informacion më të lehtë dhe më të shpejtë. Përveç kësaj, ata dëshirojnë të hapin edhe një zyrë informative ku turistët mund të informohen për vendet që mund të vizitojnë në këtë qytet dhe një guidë televizive ku turistët do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë për ofertën turistike të Mitrovicës.

3 views0 comments
bottom of page