Pyjet në kulturën tonë tradicionale dhe trendet e shpyllëzimit
![](https://static.wixstatic.com/media/nsplsh_6c7539444a4937464b4438~mv2_d_5184_3456_s_4_2.jpg/v1/fill/w_980,h_653,al_c,q_85,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/nsplsh_6c7539444a4937464b4438~mv2_d_5184_3456_s_4_2.jpg)
Natyra ka qenë, është dhe gjithmonë do të mbetet pjesë e pandashme e njeriut. Natyra është çelësi i zhvillimit të jetës në Tokë dhe vetë burimi i jetës. Natyra na mundëson të thithim oksigjen, të kemi qasje në burime të ujit të pijshëm dhe ushqim, na shërben si strehë, vend paqeje e qetësie, vend i të qenurit vetvetja. Pra, çdo gjë që ka të bëjë me njeriun dhe jetën e tij në Tokë sillet rreth nënës natyrë.
Populli shqiptar njihet për legjendat e shumta që i kanë përcjellur brez pas brezi. U janë qëndruar besnikë dhe ato kanë qenë pjesë e jetës së tyre të përditshme. Legjendat janë gojëdhëna që janë bartur prej një gjenerate në tjetrën dhe në popullin tonë kemi të shumta të cilat janë ruajtur me shumë zell. Tregimet dhe historitë që përcillen përmes tyre janë zakonisht për personazhe apo ndodhi që i karakterizon fuqia e mbinatyrshme. Legjendat kanë pasur ndikim të madh te populli shqiptar duke u bërë kështu pjesë e kulturës së tyre. Legjendat shqiptare janë të pasura me tema të larmishme, legjenda që me të vërtetë e shfaqin karakterin, besën dhe virtytet e popullit tonë. Megjithatë, në këtë artikull do të fokusohemi në ato legjenda që tregojnë lidhshmërinë e popullit shqiptar me malësi, pyje e natyrë, kujdesit të tyre ndaj pyjeve dhe bestytnive në lidhje me mbrojtjen e pyjeve dhe natyrës në përgjithësi.
Ka shumë legjenda që tregojnë madhështinë dhe ‘magjinë’ e hapësirave të pasura me pyje, ka legjenda që tregojnë se prerja e pyjeve apo dëmtimi i pasurive natyrore konsiderohej mëkat i rëndë dhe se veprimet e tilla sillnin fatkeqësi. Ka të tjera në të cilat flitet për lisa që konsideroheshin të shenjtë dhe kështu populli është kujdesur për ta. Ndër legjendat më të njohura janë Vildasusi, Mrize e Burime, Ora e Maleve, Lisi i Artë dhe Bjeshkët e Nemuna.
Figura e Vildasusit është konsideruar hyjni dhe me rëndësi të madhe për Ilirët. Ishte perëndi që i mbronte pyjet, fushat dhe burimet. Gruaja e tij ishte Thana dhe të dy adhuroheshin më shumë nga fisi i Dalmatëve, të cilët merreshin me blegtori. Sipas mitografëve, Vildasusi ka tipare pothuajse te njëjta me Silvan, që në kulturën romake ishte ruajtës i pyjeve, burimeve dhe fushave, ndërsa Thanës i kanë dhënë atribute të hyjneshës romake Diana. Kështu, figura e Vildasusit-Silvanit ka gjetur vend edhe në trojet romake, gjë që tregon ndikimin e popullit ilir edhe jashtë kufijve të Ballkanit.
Mrize e burime. Fjalori i Gjuhës Shqipe e definon fjalën mriz si “vend me hije, ku kalon vapën bagëtia”. Për më shumë, Mark Titra e shpjegon mrizin si “banesë natyrore mbrojtëse nga rrezet përvëluese të diellit të verës, si vende çlodhjeje”. Sipas të moshuarve të vendit tonë, mrizet bëheshin te paprekshme kur bagëtia kalonte kohën aty për më shumë se 2 vite në radhë. Populli besonte së nëse në këto hapësira hijesh do të priteshin pyjet, atëherë personit që do t’i priste ato, do t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi. Kështu, nuk lejohej të pritej as edhe një degë e vetme e ndonjërës prej pemëve dhe konsideroheshin si vende të shenjta.
Legjenda e Orës së Malit. Ora e malit është figurë me fuqi mbi natyrore që jeton në pyje, male, fusha, burime. Ajo iu sjellë fat të mirë njerëzve të mirë dhe iu sjellë fatkeqësi njerëzve të këqinj. Sipas Mark Titra, Ora e Malit “ka marrë tipare të Zanave, pra të hyjnive të maleve”.
Lisi i Artë. Legjenda e Lisit të Artë tregon se prerja e këtij lisi konsiderohej mëkat i rëndë. E kështu filani kishte vendosur ta ndërtonte shtëpinë e tij mu aty afër këtij lisi. E kishte ndërtuar shtëpinë mirëpo më pas e kishte ftuar një person tjetër që ta priste trungun e lisit pasi që vetë nuk guxonte ta bënte një gjë të tillë. Kështu, kur ky personi i kishte bërë goditjen e parë këtij lisi, i ishte kërcyer një bolshkë dhe i kishte rënë mu në sy, duke e vërbuar menjëherë. Dhe kështu, ishin përhapur fjalët që nga mëkati që ai kishte bërë, si ndëshkim ishte vërbuar nga lisi. Dhe kështu, kjo legjendë u përcoll tutje, me besimin se prerja e këtij lisi do të ngjallte fatkeqësi te secili që do të provonte ta dëmtonte apo ta priste.
Sa i përket Bjeshkëve të Nemuna, shumë njerëz janë kurioz të dijnë se pse këto bjeshkë quhen të tilla. Në artikullin Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”?, Mehmet Elezi erdhi në përfundim që ky term, të Nemuna, është i përkthyer nga gjuhët sllave, përkatësisht nga fjala prokletija. Si fillim, përdorej vetëm si nofkë e pastaj filloi të përdorej më shumë, derisa filluan te njheshin ashtu kudo. Kështu, ky term filloi të përdorej edhe në harta të Evropës. Pastaj, me ardhjen e pushtetit te komunistëve në Shqipëri, ky term u shqipërua krejtësisht. Filloi të përdorej kudo, si në shkolla e institucione të tjera publike. Popullsia shqiptare e pranuan këtë term edhe pse nuk e dinin prejardhjen e tij. Megjithatë edhe ata që e dinin, nuk mund të bënin gjë sepse çdo kundërshtim do t’iu kushtonte. Veer shtoi tutje që pasi këto bjeshkë kanë karakteristika të ngjajshme me alpet e Evropës, atëherë t’i quajmë “Bjeshkët Shqiptare” apo “Bjeshkët e Veriut”.
Në këto legjenda të vjetra e shohim se populli shqiptar ka qenë mjaft i lidhur me besimin e tyre qe i ka quar në mbrojtje të hapësirave të çmuara natyrore. Janë treguar të kujdesshëm që të mos e shqetësojnë nënën natyrë. Por, tani të dhënat e shumta tregojnë që niveli i prerjes së pyjeve në Kosovë është marramendëse dhe jashtë kontrollit.
Pyjet në Kosovë zënë një sipërfaqe të madhe me rreth rreth 41% të territorit. Këto zona fillojnë prej zonave më të ulëta të lartësisë mbidetare (nën 300m) dhe shtrihen deri në zonën alpine (mbi 2000m lartësi mbidetare). Ato kanë një përbërje floristike të begatshme, të cilat përfaqësojnë rreth 25% te florës së Ballkanit dhe asaj të Evropës. Rajoni me shumëllojshmërinë më të lartë është rajoni i Maleve te Sharrit dhe Alpeve Shqiptare. Këto resurse të pasura natyrore të vendit tonë janë të prekura dukshëm nga shpyllëzimi i pakontrolluar çdo vit, si rezultat i kësaj dukurie në parqet kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, kanë mbetur 59.600 ha pyje, nga total 115.957 ha sa është e gjithë sipërfaqja e tyre.
Çfarë është shpyllëzimi?
Shpyllëzimi i referohet zvogëlimit të zonave pyjore apo prerjes grupore të drunjëve, të cilat më pas kthehen në përdorim jo – pyjor. Zakonisht këto hapësira pastaj përdoren për toka bujqësore, ferma apo shfrytëzohen për përdorim urban. Ky fenomen është përshpejtuar shumë viteve të fundit nga aktivitet njerëzore në Kosovë, i cili ka ndikuar negativisht në ekosistemet natyrore, biodiversitetin dhe klimën. Pyjet kanë qenë qysh herët burim i rëndësishëm natyror, mirëpo sipas të dhënave të publikuara nga Sustainability Leadership Kosova, si rezultat i shpyllëzimit kemi humbje të këtyre burimeve me mbi 1 hektarë hapësirë pyjore çdo ditë në Kosovë. (Përdorni hartën për të parë shpyllëzimin në Kosovë). Nëse vazhdohet me këtë trend të humbjeve të sipërfaqeve pyjore, pritet që deri në vitin 2035 sipërfaqet pyjore të vendit tonë të jenë jashtë funksionit të tyre primar, e cila do të lë gjurmë të pakthyeshme në natyrë.
Shkaqet e shpyllëzimit: Pse po ndodh shpyllëzimi?
Shkaktarët kryesorë të shpyllëzimit janë bujqësia, urbanizmi, përdorimi i drurit në masë të pakontrolluar, prerjet ilegale dhe ndryshimet klimatike.
Bujqësia – është shkaktari numër një i shpyllëzimit (rreth 70-80%), ku 33% e shpyllëzimit është e shkaktuar nga bujqësia lokale në vendet të cilat janë në zhvillim e sipër. Bujqësia industriale apo komerciale shkakton rreth 40% të humbjeve të pyjeve, të cilat vazhdimisht janë në kërkim të hapësirave për të rritur ushqimin e lidhur me metoda të ndryshme tradicionale që përdoren për zhvillimin e bujqësisë, si prerja dhe djegia e pyjeve për të kultivuar produkte të ndryshme ushqimore në to. Metoda e zjarrvënjes së qëllimshme përdoret edhe në Kosovë, dhe shpeshherë ka ndodhur që zjarret e qëllimshme të dalin jashtë kontrollit dhe të shkaktojnë dëme të mëdha edhe në vendet ku nuk do të duhej të shpërndaheshin. Duhet të përmendim që një faktor tjetër është edhe blegtoria e cila kontribuon në shpyllëzim si rezultat i nevojave që dalin me rritjen e numrit të bagëtive dhe kultivimin e ushqimit të tyre.
Urbanizimi dhe ndërtimet e reja infrastrukturore poashtu kanë nxitur humbjen e pyjeve përmes: transportit, zhvendosjes dhe rritjes së popullsisë nga zonat rurale në zona urbane – e cila po qon në rritje eksponenciale të vendeve të banimit dhe konsumit. Si rezultat këto fenomene sfidojnë kufijtë natyror që i rrethojnë, duke çuar shpesh në shpyllëzime të mëdha.
Për shkak të përdorimit të madh të masës drunore në ndërtimtari, industrinë e drurit dhe si lëndë djegëse për ngrohje, prerjet ilegale janë bërë praktikë shumë e shpeshtë dhe e përhapur gjithandej. Kjo ka ndikuar në zhvillimin e madh të rrjeteve të ndryshme biznesore të cilat çdo vit shkatërrojnë pyjet në masë të madhe për përfitime ekonomike personale, pa pasur konsideratë për natyrën.
Faktor tjetër i shpyllëzimit është edhe ndryshimi klimatik, i cili vie si rezultat i rritjes së vazhdueshme të temperaturave dhe që shkakton zjarre në shumë zona pyjore, një efekt i cili ndikon në të ardhmen e përbërjes së drunjëve dhe në humbjen e pyjeve. Andaj ruajtja e pyjeve është një prej formave që do të ndihmonte në mbajtjen konstante të ndryshimeve klimatike, ndërsa në të kundërtën nëse vazhdojmë që t’i shkatërrojmë, humbja e pyjeve do të jetë faktor që do të ndikojë në rritjen e këtyre ndryshimeve. Mungesa e drunjëve ndikon që edhe një sasi e madhe e gazrave serrë të lirohet në atmosferë. Pyjet e shëndetshme thithin dioksidin e karbonit nga atmosfera, ndërsa zonat e shpyllëzuara do të humbasin këtë aftësi.
Efektet e shpyllëzimit – Si ndikon shpyllëzimi në mjedis?
Humbja e biodiversitetit – Biodiversiteti përfshinë shumëllojshmërinë e jetës në planetin tonë! Por, shkatërrimi i pyjeve po ndikon në humbjen e habitateve dhe specieve të ndryshme të cilat kanë shtëpi të tyre pyjet dhe rrjedhimisht do të ndikojë në reduktimin e këtyre vlerave të pazëvendësueshme natyrore.
Erozioni – është një proces i përhapur gjithandej në Kosovë, për shkakun që mbrojtja natyrale që vjen përmes pyjeve është minimale. Aty ku është i degraduar pylli, ka gjasa të mëdha që të ketë edhe erozion. Duhet pasur shumë kujdes sidomos në mbrojtjen e pyjeve në zona të larta dhe të pjerrëta pasi që ato janë të pasura me lëndë organike, por edhe më rezistente ndaj erozionit dhe motit të keq. Në këtë rast, shpyllëzimi do të ndikojë që toka të dobësohet, duke e lënë zonën më të prekshme ndaj fatkeqësive natyrore si rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet. Erozioni luan rol edhe në redimentet gjithnjë më të ulëta të ushqimit, tokat që përdoren për prodhimin e ushqimit janë të ndikuara rëndë nga erozioni si rezultat i shpyllëzimit në masë të madhe.
Pyjet janë poashtu burim i pashtershëm i bimëve mjekësore, një vlerë e rëndësishme pasi që rriten bimë të cilat kanë veti shëruese në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Shumica e këtyre bimëve janë edhe pjesë e traditës tonë, në përgaditjen e cajrave që kanë veti të larta ushqyese.
Çfarë mund të bëjmë ne për ta ndaluar shpyllëzimin?
Pra si mund të ndihmojmë në ndalimin e shpyllëzimit dhe ruajtjen e vlerave natyrore që posedojnë këto hapësira kaq të rëndësishme për ne?
Lëvizje të ndryshme në gjithë botën janë duke punuar çdo ditë për të ruajtur ekosistemet ekzistuese pyjore dhe për të ripyllëzuar hapësirat të cilat janë prekur nga degradimi dhe shkatërrimi i pyjeve. Pra, pyjet mund të restaurohen duke mbjellur pemë në zonat të cilat janë pastruar ose thjesht duke lejuar ekosistemin pyjor të rigjenerohet me kohën. Pjesë e kësaj lëvizje mund të jeni edhe ju, duke u bashkuar në fushatën #MoseMerrMalin, që ka për qëllim kryesor ndalimin e shpyllëzimit dhe ruajtjen e pyjeve në Kosovë. Për më tepër vizitoni faqen tonë në internet. Në muajin Qershor, SLK do të zhvillojë dy kampanja për ngritje të fondeve në rigjenerimin e pyjeve në Kosovë, dhe në to ju mund të kontribuoni si dashamirës të natyrës.
Përdorimi i praktikave të qëndrueshme është gjithmonë ide e mirë, si përdorimi i produkteve të recikluara dhe më pas t’i recikloni ato. Bleni produkte druri të certifikuara.
Së bashku mund ta bëjmë ndryshimin duke mbështetur kompani, organizata dhe kampanja të cilat janë të përkushtuara për të reduktuar shpyllëzimin.
Rritni ndërgjegjësimin në rrethin tuaj dhe komunitetin tuaj.
Për më shumë pyje nesër sesa ka sot!
Commentaires