top of page
Search

Nisja e lëvizjes #MoseMerrMalin dhe shënimi i ditës së tokës

Updated: Apr 27, 2022



Në mbrëmjen e 22 prillit, me rastin e shënimit të ditës së Tokës, Sustainability Leadership Kosova organizoi ngjarjen #MoseMerrMalin në ambientet e Muzeut të Mitrovicës.


Kjo ngjarje u hap me një poezi autentike nga Nora Prekazi e cila recitoi para publikut të gjërë poezinë e saj të shkruar enkas për këtë ngjarje. Pas fillimit artistik të kësaj nate, koha i erdhi prezantimit të lëvizjes #MoseMerrMalin dhe hulumtimit të nivelit të shpyllëzimit në Kosovë nga Indira Kartallozi, Drejtoreshë Ekzekutive e SLK. Znj. Kartallozi me shumë kujdes tregoi rrugëtimin e kësaj lëvizjeje dhe hapat që SLK së bashku me partnerët kyq kanë ndërmarrë për të arritur deri në këtë fazë. Pas prezantimit përmbajtësor të lëvizjes, rendi i erdhi pjesës teknike dhe shkencore të këtij projekti, e cila u mbulua nga z. Faruk Foniqi, themelues i Institute of GIS and Geospatial Technology of Kosovo. Z. Foniqi tregoi më shumë rreth metodave shkencore të cilat janë përdorur për të arritur deri tek rezultatet finale të këtij raporti.


Pas prezantimit të të dhënave në mënyrë grafike dhe vizuele të platformës #MoseMerrMalin ku u shfaqën nivelet e shpyllëzimit në Kosovë, dhe në veçanti për rajonin e Mitrovicës ngjarja vazhdoi me diskutimet me mysafirët e ftuar të panelit diskutues.



Kjo ngjarje ishte e hapur për publikun e gjerë, ku edhe morrën pjesë aktivistë, akterë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme nga qyteti i Mitrovicës. Paneli i diskutimit u moderua nga Fjolla Caka nga UN-Habitat dhe LOCAF ndërsa panelistë ishin:


Learta Hollaj me përvojë të shumtë në fushën e Qëndrueshmërisë, tani është e angazhuar si këshilltare për zhvillim të qëndrueshëm në Zyrën Presidenciale të Kosovës. Gjatë diskutimit, ajo diskutoi rreth politikave dhe planeve të Zyrës së Presidencës rreth qëndrueshmërisë.


Ergin Hajredini përfaqësoi The Food and Agriculture Organization (FAO) si Zyrtar Kombëtar i Pyjeve, ku gjatë diskutimit shtjelloi çështjet rreth shpyllëzimit në rajonin tonë dhe na njoftoi më shumë rreth planeve të menaxhimit të zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe mbrojtjes së hapësirave të natyrës.


Fehmi Ferati, figurë e njohur në rajonin tonë, si një fytyrë publike dhe humorist, përmes sensit të tij të thuktë të humorit, thumboi disa nga pjesëmarrësit rreth premtimeve dhe veprimeve të tyre duke bërë thirrje për veprime urgjente të cilat me të vërtetë krijojnë ndikim pozitiv në ruajtjen dhe rigjenerimin e pyjeve tona.


Arta Ibishi Çitaku, me shpirtin e saj prej një ndryshimtareje dhe dashamirëse ndaj natyrës, është ndër iniciatoret e para për themelimin e komunitetit Ambientalistët e Mitrovicës. Çdo të shtune, Arta angazhohet me antarët e tjerë të komunitetit në pastrimin e zonave të caktuara të qytetit të Mitrovicës.


Mevlude Skuroshi përveç karrierës së saj profesionale si Themeluese e Myriad dhe koordinatore në Zana Literature Festival, ajo, si aktiviste mjedisore, me vite është angazhuar në ndërmarrjen e hapave drejt mbrojtjes së natyrës. Ajo bëri thirrje për bashkim drejt luftimit të shpyllëzimit dhe rigjenerimit të pyjeve.


Pas diskutimit shumë interesant dhe interaktiv në mes të panelistëve të cilët me anë të përvojës së tyre dhe profilit profesional paraqsinin pikëpamjet e tyre, jo çdoherë të njëjta me njëri tjetrin ngjarja u përmbyll me lansimin e zotimit për ruajtjen dhe rigjenerimin e pyjeve të Kosovës. Në këtë ceremoni simbolike, përpos panelistëve edhe pjesëmarrësit patën mundësinë që të nënshkruhen dhe të betohen për një gjë të tillë.


Betimi i kësaj lëvizjeve fokusohet në ndërmarrjen e veprimeve konkrete që ofrojnë zgjidhje për ruajtjen e pyjeve dhe përdorimin e qëndrueshëm të tyre. Zotimi përfshinë këto pika:

  • Kuptimi i ndikimit dhe varësisë sonë nga pyjet.

  • Marrja e veprimeve për të minimizuar ndikimet negative dhe optimizuar ndikimet pozitive në pyje.

  • Zhvillimi i planeve të menaxhimit të pyjeve, duke përfshirë veprime për të adresuar nevojat më të gjera të komunitetit.

  • Promovimi i ndërgjegjësimit për vlerat e pyjeve midis miqve tanë, komuniteteve, punonjësve, menaxherëve, aksionarëve, partnerëve, furnitorëve, konsumatorëve dhe në të gjithë komunitetet e biznesit dhe financave.

  • Duke vepruar si ambasadorë për administrimin e përgjegjshëm të pyjeve, duke u fokusuar në mundësitë dhe zgjidhjet ekonomike.

  • Angazhimi në mundësi për të shkëmbyer përvojat dhe përparimin e arritur, me synimin për të inkurajuar individë, kompani dhe organizata të tjera që të veprojnë gjithashtu.

  • Marrja e hapave për mobilizimin e burimeve për të mbështetur veprime konkrete në pyje.

  • Sigurimi i informacionit për veprimet e ndërmarra dhe arritjet në adresimin e sa më sipër.


Lëvizja #MoseMerrMalin poashtu bën thirrje për:

  1. Qeveritë dhe politikëbërësit të angazhohen me OJQ-të dhe bizneset dhe të zbatojnë detyrimet e tyre për të krijuar politikat e nevojshme dhe burimet e financimit që do të inkurajojnë qëndrueshmërinë në aktivitetet e tyre të përditshme.

  2. Sektorët e bizneseve në Kosovë të bashkohen duke u integruar dhe investuar në praktika, zgjidhje dhe inovacione që mbështesin qëndrueshmërinë, veprimet për ndryshime klimatike dhe ruajtjen dhe rigjenerimin e pyjeve.

  3. Akademitë dhe sektorët e arsimit të rishikojnë kurrikulat e tyre aktuale dhe të integrojnë mësimin dhe kërkimin në temat e fokusuara në qëndrueshmëri.

  4. Komunitetin global të diasporës të na ndihmojë në ruajtjen e pyjeve dhe natyrës sonë të lashtë dhe të na ndihmojë të rrisim lëvizjen e #MoseMerrMalin.

  5. Aktivistët të na ndihmojnë të rrisim lëvizjen duke ndarë thirrjen tonë, duke mbështetur zotimin tonë dhe duke ndarë me ne idetë dhe zgjidhjet tuaja.


Ky aktivitet është përkrahur nga Community Development Fund si pjesë e Human Rightivism Project.









7 views0 comments
bottom of page