top of page
Search
shpetim96

Ekoturizmi: Në Harmoni Me Natyrën


Turizmi është ndër degët më të mëdha industriale në botë me ekoturizmin si sektori me zhvillimin më të shpejtë. Andaj, kemi rritje të trendeve të ekoturizmit dhe turizmit të qëndrueshëm. Të dyja këto trende kanë për qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës përmes udhëtimit, megjithatë këto dy trende dallojnë mjaft prej njëra-tjetrës. Ekoturizmi ka për qëllim që përmes udhëtimeve t’i mbrojë vendet e pasura me bukuri natyrore dhe biodiversite dhe gjithashtu të kontribuojë në ekonominë lokale. Për dallim, turizmi i qëndrueshëm ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshmëm dhe ta bëjë udhëtimin më pak të dëmshëm për natyrën. Në lidhje me dëmet që udhëtimet shkaktojnë, një studim i bërë nga Satiststa, kompani hulumtuese e marketingut dhe analizave të të dhënave, tregon që vetëm në vitin 2020 globalisht sektori i transportit ka prodhuar afër 7.3 miliardë ton dioksid karboni (CO2), duke u bërë ndotësi më i madh.


Termi ekoturizëm u krijua më 1983 nga Hector Ceballos Lascurain, ambientalist meksikan, i cili gjithashtu konsiderohet edhe si babai i ekoturizmit. Ka definicione të shumta rreth ekoturizmit që e tregojnë rolin e tij kryesor, ku ndër më të njohurit është ai i Ceballos Lascurain. Ai e definon ekoturizmin si “turizëm që përbëhet nga udhëtimet në zona natyrore të qeta dhe të pandotura, ku qëllimi kryesor është mësimi, admirimi dhe shjimi i këtyre zonave natyrore bashkë me bimët dhe kafshët dhe kulturën e tyre (të kaluarës dhe të tashmes)”. Për më shumë, Shoqëria Ndërkombëtare e Ekoturizmit (TIES) e definon ekoturizmin si “udhëtim me përgjegjmëri në zona natyrore që ndikon në ruajtjen e natyrës dhe mbështet mirëqenien e popullsisë lokale”. Pra, mund të themi që me ekoturizëm kuptojmë udhëtimin në zona natyrore dhe në të njëjtën kohë mësimin dhe mbrojtjen e ambientit, ekosistemit, trashëgimisë kulturore dhe ndihmesën e popullsisë lokale.


PSE NA NEVOJITEN TRENDET EKOTURISTIKE?


Që nga fillimi, njerëzimi ka qenë i rrethuar nga natyra, është i lidhur dhe vazhdimisht bashkëvepron me të. Ndryshe nga gjallesat e tjera, njerëzit kanë kapacitet ta transformojnë natyrën, qoftë pozitivisht ose negativisht. Rritja e popullsisë botërore, zhvillimi i industrisë dhe rritja e konsumimit të burimeve kanë pasur ndikime shkatërruese për natyën. Nëse i analizojmë veprimet e njerërzve në pyje gjatë këtyre viteve të fundit, rezultatet janë shokuese. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë (FAO), bota ka humbur 420 milionë hektarë pyje që nga viti 1990, me 10 milionë hektarë për vit gjatë periudhës 2015-2020. Vetëm Kosova po humb rreth 1.5 hektarë pyje çdo ditë (për më shumë informacione rreth shpyllëzimit në Kosovë, vizitoni OJQ Sustainability Leadership Kosova).


Përderisa zhvillimet ekonomike dhe teknologjike kanë mundësuar udhëtimin dhe vizitën e shumë zonave të paeksploruara, edhe pse ka ndihmuar zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë për popullsinë lokale, gjithashtu ka sjellë me vete edhe fenomenin e njohur si turizëm masiv. Norbert Vanhove, Profesor në KU Leuven - College of Europe, e definon turizmin masiv si “përfshirja e një grupi të madh njerëzish në turizëm, çfarëdo lloj aktiviteti turistik të jetë” ku "pushimet kryesisht janë të standardizuara dhe jo fleksibile”. Pavarësisht benefiteve të shumta që ky lloj turizmi sjellë, disavantazhet janë më të mëdha. Ndikimet e turizmit masiv shihen në rritjen e mbetjeve të ngurta, ndryshimet klimatike, mbipopullim, rritjen e emitimit të karbonit, ndotjen nga zhurma, shkarkimet e ujërave të zeza, vajrave dhe kemikaleve, degradimin i burimeve natyrore, ndotjen arkitekturale dhe rrezikimin e ekosistemeve.


Si zgjidhje alternative mund të konsiderohet ekoturizmi që mund të konsiderohet si mbështetja ekonomike për ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës. Në këtë mënyrë, njerëzit mund të udhëtojnë dhe të kujdesen për natyrën në të njëjtën kohë. Ekoturizmi ka tri funksione kryesore: mbrojten e natyrës, edukimin rreth natyrës dhe rritjen e përfitimeve ekonomike.


Mbrojta e natyrës

“Natyra nuk na përket neve, ne i përkasim natyrës”, thotë Naskar, neuroshkencëtar indian. Është streha jonë, vendi ku gjejmë paqe dhe lumturi. Por, në mënyrë që t’i mbajmë këto, ne duhet të kujdesemi dhe ta mbrojmë natyrën dhe ekoturizmi luan rol kyç në këtë aspekt. Roli i turizmit, sipas Stephan Obenaus, është që përmes eksplorimit të ekologjisë dhe ekosistemeve, të rritet vetëdija dhe ndergjegjshmëria rreth ambientit që na rrethon. Disa nga vendet që duhet të merren si shembuj të ekoturizmit janë Kosta Rika, Norvegjia dhe Kenia, ku me mbi 25 parqe kombëtare, kanë arritur qëllimin e ekoturizmit si dhe gjithashtu iu ofrojnë turistëve mundësi të panumërta t’i shijojnë diversitetet magjepëse natyrore si askund tjetër.


Edukimi rreth natyrës dhe kulturës

Përmes ekoturizmit ne jo vetëm që mbrojmë ambientin dhe burimet e tij, ne gjithashtu i nënshtrohemi një procesi të nxënit që na e rrit ndërgjegjshmërinë për natyrën dhe të mirat që i marrim prej saj. Ashtu edhe siç thotë Weaver, Profesor në Universitetin Griffith (Gold Coast, Australi), ekoturizmi nuk fokusohet vetëm në “ekperiencën magjepëse rekreative” por edhe në “uljen e ndikimeve negative dhe ‘krijimin’ e një popullsie më vetëdijesuese rreth ambientit dhe kulturave”. Siç mund të kuptohet, ekoturizmi luan rol edhe në edukimin e popullsisë rreth trashëgimisë kulturore, ku ata mund të mësojnë se si ta promovojnë kulturën e tyre si dhe të mësojnë rreth kulturave të ndryshme. Më e rëndësishmja, duke ruajtur kulturën, traditat dhe historinë, ekoturizmi ndihmon mbrojtjen e identitetit të atij vendi.


Rritja e përfitimeve ekonomike

Një tjetër arsye pse duhet të fokusohemi në zhvillimin e ekoturizmit është përfitimi ekonomik. Kiper, Profesor në Universitetin Tekirdag Namik Kemal, shpjegon se ekoturizmi ndihmon zhvillimin e ekonomisë lokale duke e furnizuar popullsinë me burime alternative më të qëndrueshme të jetesës. Ekoturizmi iu ofron popullsisë lokale mundësi punësimi, ndihmon zhvillimin e infrastrukturës, duke përfshirë infrastrukturën e gjelbër, transportin, rrjetin e komunikimit, shërbimet mjekësore, etj. Sipas EBSCO Sustainability Watch,globalisht, ekoturizmi prodhon 77 miliardë dollarë të ardhura dhe përbën 5-7% të tregut të përgjithshëm të udhëtimeve dhe turizmit dhe është prej sektorëve me rritje më të shpejtë në industrinë e udhëtimeve, me normë të rritjes prej 10-30%.


DISAVANTAZHET E EKOTURIZMIT


Nuk ka dyshim që ekoturizmi ndikon pozitivisht në natyrë, kafshë dhe njerëz, është një situatë përfitimprurëse për të gjithë, por nëse keq menaxhohet mund të shkaktojë:


Shqetësim të botës së egër

Qëllimi i ekoturizmit është vizita e vendeve të bukura e të pasura me biodiversitet por duke lënë sa më pak gjurmë që mundemi, që është paksa e vështirë të arrihet. Duke i vizituar vendet që rrallë janë të frekuentuara, mundësia e shqetësimit të botës së egër është e madhe. Ashtu edhe siç shkruan Andreas, ambientalist,: “kafshët mund të mos iu bëjnë ballë turistëve dhe ndihen të shqetësuar.”


Ndotje të ambientit

Zhvillimi i ekoturizmit tërheq shumë turistë, që do të thotë numri i visitorëve në një zonë të caktuar rritet. Sa më i madh numri i turistëve, aq më e madhe nevoja për përdorimin e veturave, që me emitimin e gazrave e ndotin ajrin. Siç shkruan edhe Maximova, “sa më shumë vetura, më i keq kualiteti i ajrit”. Për më shumë, edhe pse e vështirë të pranohet, ka shumë njerëz që e quajnë veten ekoturistë por veprimet e tyre tregojnë të kundërtën. Shumë njerëz ende hedhin mbeturina në natyrë, duke injoruar faktin se edhe pak mbeturina ndikojnë negativisht në ambient. Nëse shumica e njerëzve veprojnë në këtë mënyrë, ata mund t’i kthejnë zonat natyrore në deponi mbeturinash, që bie ndesh me qëllimin e ekoturizmit.


Transkulturim

Tjetër disavantazh i ekoturizmit është transkulturimi ose ndryshimi i traditave dhe zakoneve të një kulture për shkak të ndikimit të kulturave të tjera. Banorët e një zone të caktuar i janë përshtatur një stili të jetesës dhe natyra ka qenë burimi kryesor i jetesës së tyre. Sidoqoftë, nëse popullsia nuk arrinë ta menaxhoj siç duhet këtë trend turizmi, atëherë stili i jetesës së tyre do të ndikohet e pastaj edhe ndryshohet. Banorët ndikohen si nga turistët e huaj ashtu edhe nga agjensitë turistike, të cilat duke u munduar t’iu përshtaten kërkesave dhe nevojave të turistëve, ata mund të ndikohen që t’i ndryshojnë traditat dhe mënyrën e jetesës së tyre, që më tutje mund të shkaktojë humbjen e trashëgimisë kulturore të asaj zone.


Shfrytëzim të turistëve

Edhe pse ndër qëllimet kryesore të ekoturizmit është krijimi i vendeve të punës për popullsinë vendase, shumë prej këtyre punëve janë afatshkurtëra apo sezonale, që zgjasin 3-4 muaj. Për më shumë, për arsye se shumë njerëz ende hasin vështirësi ta fitojnë jetesën, ata shfrytëzojnë çdo mundësi që iu vie para, ku në këtë mënyrë, ata i shfrytëzojnë turistët duke i rritur çmimet për përfitime të veta.


Për t’iu ikur këtyre rezultateve, njerëzit duhen të informohen dhe të rrisin vetëdijësimin rreth ambientit dhe ndikimit që kanë në natyrë. Edhe ata që e dëmtojnë ekosistemin do të humbasin nëse “vdes” ekosistemi sepse njeriu ka më shumë nevojë për natyrën sesa natyra për njeriun.


SI QËNDRON KOSOVA ME EKOTURIZËM?


Kosova është vend që nuk ka dalje në det dhe shtrihet në qendër të Gadishullit Ballkanik. Edhe pse vend i vogël, Kosova njihet për burimet natyrore dhe trashëgiminë kulturore. Pozita e saj gjeografike, klima, burimet ujore, pyjet, malet, biodiversiteti, shpellat e kanionet e bëjnë Kosovën një vend me potencial të madh për zhvillimin e ekoturizmit.


Pavarësisht potencialit që ka në këtë drejtim, mungesa e burimeve njerëzore dhe mbështetjeve financiare janë disa nga vështirësitë që i has Kosova në zbatimin e këtij trendi të ri turistik. Përveç kësaj, mungesa e shkëmbimit kulturor dhe njerëzve të arsimuar në lidhje me ekoturizmin përbëjnë disa sfida të tjera për Kosovën që duhen adresuar. Për më tepër, gjuetia dhe prerja e pyjeve, përveç që kanë ndikim negativ në zhvillimin e turizmit, janë bërë çështje shqetësuese në aspektin e kushteve të ekosistemit dhe ekologjisë. Një studim i bërë nga OJQ Sustainability Leadership Kosova thekson faktin se disa nga speciet kombëtare si ariu, dhelpra, ujku, rrëqebulli, shqiponja dhe qukapiku janë në rrezik për shkak të shpyllëzimit dhe parashihet se nëse njerëzit vazhdojnë këtë trend të prerjes së pyjeve deri në vitin 2035, pyjet në Kosovë do ta humbasin funksionin e tyre primar.


Megjithatë, siç u cek edhe më lart, me pasuritë natyrore dhe kulturore që ka, Kosova ofron atraksione të shumta e të bukura për turistët, ku disa prej tyre janë: parqe kombëtare, shpella, kanione, ujëvara dhe muze.


Parqet Kombëtare

Deri tani Kosova ka arritur t’i bëjë dy Parqe Kombëtare, Parkun Kombëtar Sharri dhe Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. Këto parqe janë të pasura me burime ekologjike dhe ekosistemike dhe ofrojnë shumë atraksione ku vizitorët mund të kënaqen, mbrojnë dhe mësojnë për natyrën përmes aktiviteteve të ndryshme rekreative.


Parku Kombëtar Sharri karakterizohet me pyje, peizazhe të bukura, kullota malore, liqenjë akullnajorë. Veselaj dhe Mustafaj, profesorë në Universitetin e Prishtinës, shkruajnë se ky park njihet për rreth 1500 lloje të florës vaskulare, 147 lloje të fluturave, 7 lloje të peshqve, 9 lloje të amfibëve, 10 lloje të reptilëve, 154 lloje të zogjve dhe 30 lloje të gjitarëve. Turistët mund t’i shijojnë këto bukuri përmes hikingut, snowshoe hiking, alpinizëm, paragliding, zip lining, dhe vrojtim të zogjëve. Nëse doni ta eksploroni këtë park, mund ta kontaktoni OJQ FINCH për udhërrëfim turistik.


Parku Kombëtar Bjeshkët e Nemuna gjithashtu karakterizohet me peizazhe mahnitëse, pyje, lumenjë, liqene akullnajore. Veselaj dhe Mustafa, profesorë në Universitetin e Prishtinës, shkruajnë se ky park është shtëpia e mbi 255 llojeve endemike, gjitarëve të rrallë e të rrezikuar, llojeve të ndryshme të zogjve dhe bimëve. Me mbi 200 lloje të zogjve, Parku Kombëtar Bjeshkët e Nemuna gjithashtu njihet si Zonë e Rëndësishme Zogjësh (IBA) sipas Konventës Ndërkombëtare të BirdLife. Aktivitetet që mund t’i bëni në këtë park janë alpinizëm, skijim, zhytje dhe shumë më shumë.


Shpella e Gadimes, e njohur gjithashtu si Shpella e Mermertë, është ndër bukuritë natyrore të Kosovës. Gjendet në fshatin Gadime e Ulët, në qytetin e Lipjanit. Pjesa më e madhe e shpellës është e paeksploruar, ku 1500m janë të eksploruara me 800m të hapura për turistët. Për më shumë, brenda shpellës gjendet një liqen me gjatësi 15 deri 25m. Shpella është e pasur me kristale të rralla të cilat nuk mund të gjenden askund tjetër në botë.


Është kanion lumi, 25km i gjatë dhe 1000m i thellë dhe gjendet në malet Bjeshkët e Nemuna afër qytetit të Pejës. Aktivitetet që turistët mund t’i bëjnë janë alpinizmi, rock-climbing dhe eksplorimi i shpellave. Në këtë Kanion është ndërtuar ‘Via Ferrata’ që quhet Shtegu i Hekurit, ku njerëzit mund të ngjiten në shkëmbinj.


Ujëvarat

Ujëvara e Mirushës dhe ajo e Drinit të Bardhë janë një ndër atraksionet më të mëdha turistike të Kosovës. Këto dy ujëvara janë marrë nën mbrojtjen ligjore për shkak të burimeve të tyre ekologjike dhe ekosistemike. Pamja piktoreske e këtyre ujëvarave do t’ju magjepsë dhe do ta shijoni pamjen e natyrës.

Ujëvara e Mirushës gjendet në qytetin e Malishevës. Fenomeni që ndodh këtu është lumi Mirusha kalon përmes Kanionit të Mirushës dhe krijon 16 liqene dhe 12 ujëvara ndërmjet tyre.

Ujëvara e Drinit të Bardhë gjendet në qytetin e Pejës. E rrethuar me peizazhe të bukura, lugina e shpella, e bëjnë atë ndër vendet më të vizituara turistike në Kosovë.


Muzetë

Nëse dëshironi të dini dhe të mësoni rreth kulturës dhe traditave të Kosovës, atëherë muzetë janë vendi i duhur. Kosova ka 7 muze aktive, disa prej tyre janë Muzeu i Kosovës (Prishtinë), Muzeu Etnografik (Prishtinë), Muzeu Arkeologjik i Prizrenit (Prizrenit), Muzeu i Pejës (Pejë), Muzu i Mitrovicës (Mitrovicë), Muzeu Etnografik i Gjakovës (Gjakovë). Këto muze kanë artefakte arkeologjike prej periudhave të ndryshme historike, duke datuar prej civilizimit Ilir dhe shumë punëdore etnografike që shfaqin llojllojshmërinë lokale. Ju gjithashtu do të keni edhe mundësinë ta shikoni për së afërmi jetesën që e kanë bërë njerëzit në kohët e kaluara, veshjet dhe instrumentet tradicionale që shënojnë kujtesën dhe identitetin historik të Kosovës.


PËRFUNDIMI


Në përfundim, ekoturizmi është degë e turizmit që po zhvillohet me shpejtësi të madhe. Ekoturizëm do të thotë të udhëtosh në mënyrë të qëndrueshme dhe në të njëjtën kohë të eksplorosh natyrën, jetën e egër dhe kulturën e një vendi përderisa i ruani ato. Ekoturizmi është mbështetja ekonomike e ruajtjes së natyrës. Përderisa zhvillimi i ekoturizmit sjellë shumë të mira për natyrën, ekosistemin dhe ekonominë lokale, keq menaxhimi i saj mund të sjellë shumë disavantazhe që mund të lëjnë ndikime negative për kohë të gjatë në natyrë.


Çka mund të bëni si ekoturistë apo edhe si lokalë është të lexoni dhe të informoheni sa më shumë rreth këtij trendi të turizmit, t’i studioni objektivat kryesore të tij duke pasur kujdes nga “greenwashing”. Përveç kësaj, mbani ambientin sa më të pastër dhe mbrojeni atë nga mbeturinat, shmagni përdorimin e plastikës dhe në vend të saj përdorni çanta të ripërdorshme, recikloni, shmagni krijimin e ndotjes nga drita, adoptoni pemë (kontaktoni OJQ Sustainability Leadership Kosova të mësoni se si duhet vepruar në këtë aspekt), mos i përkrahni kafazët e kafshëve ose organizatat që ofrojnë atraksione të kafshëve, përdorni transportin publik ose fluturimet non-stop sa herë që keni mundësi. Mbi të gjitha, promovoni ekoturizmin sa më shumë që mundeni në mënyrë që edhe të tjerët të informohen dhe të gjithë së bashku të punojmë për një botë më të shëndetshme. Po e përfundoj këtë artikull duke cituar Yuri Gagarin: “Duke udhëtuar me anije kozmike në orbitën e Tokës, kam parë se sa i bukur është planeti ynë. Le ta ruajmë dhe ta rrisim këtë bukuri e jo ta shkatërrojmë!”.


Autorja e këtij artikulli, Shukrie Sadiku aktualisht praktikante tek SLK, është studente e vitit të katërt në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës dhe studente e shkëmbimit në Universitetin Justus-Liebig, Giessen, Gjermani. Ajo është gjithashtu pjesë e programit mentorues të Universitetit të Prishtinës Mentoring Our Future, për vitin akademik 2021/22. Shukrisë i pëlqen leximin, natyrën dhe astronominë.

235 views0 comments

Comments


bottom of page